Direkt zum Hauptbereich

Fjalët e Qiririt


Në mes tuaj kam qëndruar
E jam duke përvëluar,
Që t'ua ap pakëz dritë,
Natën t'ua bëj dritë.

Do të tretem, të kullohem,
Të digjem, të përvëlohem,
Që t'u ndrinj mirë e të shihni,
Njëri-tjetrin të njihni.

Për ju do të rri të tretem,
Ansjë çikë të mos mbetem,
Të digjem e të qaj me lot,
Se dëshirën se duroj dot. 

Unë zjarrit nuk i druhem 
Dhe kurrë s'dua të shuhem, 
Po të digjem me dëshirë, 
Sa të munt t'u ndrinj më mirë. 

Kur më shihni se jam tretur, 
Mos pandehni se kam vdekur; 
Jam i gjall' e jam ndë jetë 
Jam në dritët të vërtetë, 

Unë jam në shpirtin tuaj, 
Mos më kini për të huaj, 
M'është falurë durimi, 
Andaj po digjem si trimi, 

Se ma k'ënda t'u bëj mirë, 
Të mos mbeti n'errësirë. 
Jakëni rreth meje rrini, 
Flisni, qeshni, hani, pini, 

Në shpirt kam dashurinë, 
Pa digjem për njerëzinë, 
Lermëni të përvëlohem, 
Nuk dua më të ftohem, 

Dua ta djek trupin' e kretë 
Për atë zotin e vërtetë. 
Me zjarr ta djek mushkërinë 
E të tretem për njerinë, 

Bashkë me gëzimt të tija 
Të vete te perëndia. 
Unë dua njerëzinë, 
Mirësin' e urtësinë. 

Në bëhi shokë me mua, 
Në më doni si u dua, 
Njëri-tjetërin në doni, 
Të paudhë mos punoni. 

O zëmëra fluturake, 
Qasju pakë kësaj flake! 
Mase krahët t'i përvëlon, 
Po dhe shpirtin ta shënjtëron. 

Unë duke përvëluar, 
Njerëzit i kam ndrituar. 
Kam qënë mik me njerinë, 
Andaj i di e më dinë. 

Gjithë tuajt' i kam parë, 
Mëm' e at' e fis e farë, 
Si tani gjithë i kam ndër mënt, 
Që rrininë më këtë vënt. 

Edhe sot nër ju ata shoh, 
Se shpirtin e tyre ua njoh, 
Edhe unë si ju jam ndruar 
E jam përzjer' e ndryshuar, 

Pa jam bërë shumë herë 
Zjar e uj' e balt' e erë. 
Jam një shkëndijë pej qielli 
Dhe një drudhëzë pej dielli. 

Edhe ndër qiej fluturonj, 
Edhe brënda në det qëndronj, 
Shumë herë fle në baltë, 
Diku ndodhem dhe në mjaltë 

Bënem qëngj e kec i pirë, 
Lul' e bar e gjeth i mbirë. 
Dua shumë fjalë t'u them, 
Po trëmbem mos i bënj ujem. 
E ku shkruhenë në kartë 
Fjalët' e gjuhësë zjarrtë?

- Naim Frashëri

Kommentare

Beliebte Posts aus diesem Blog

Ylli vogël lart në qiell

Ylli i vogël lart në qiell,   Duket porsi zjarr në pyll, Sipër dheut, lart qëndron,   Xixa-xixa xixëllon.   Disku i diellit kur perëndon, Nata hijen e lëshon, Ylli veten e zbulon,   Xixa-xixa xixëllon.   Drit' e yllit kur shkëlqen,   Udhëtarit ç'i pëlqen, Natën e errët kudo shkon,   Udhën vetëm s'e harron.   Natën djali kur shikon,   Sipër dheut, fort mendon, Mendt' e veta ç'i habit, Ylli i vogël se si ndrit. - Abetare

Poezi për Babain

Babi jonë i drejtë, puntorë Si një mbret, por pa kurorë Rrezaton fuqi dhe moral Është i dashur për gjithë familjar. Ke një jetë që preukopohesh Kurr s’të pash që po ankohesh Edhe pse linde dhe u rrite si fukara Sot gjdo anë të botës mundesh me pa. Jo vetëm mua, por të gjithve ne Na mësove dashurin për familjen dhe për atdhe Fjalët domethënëse si kushtetutë ditë për ditë Më e shpeshta: “Msim, msim natë e ditë, që të shohim pakës dritë.” Të gjithë e dim si na ke rritur Por gjithmonë ia ke arritur Me shumë mund dhe vështirësi Na ke sjell gëzim e harmoni. Lum prindërit që të rritën Të edukuan si asnjë tjetër Këtë të mirë po e trashëgonë Jo vetëm tek fëmijet e tu, por në gjdo kënd. Djal, burr, vlla, mixhë, dajë, shok dhe babë Në të gjitha rolet je shembullorë anë e mbanë Durimi arma jote më e madhe Edhe pse nuk din mirë me lujt valle (haha). Ndjem shumë dashuri për mundin tënd Gjithmonë ke përgjigjje për gjdo lëndë Një gjë d...